E Majta ka vdekur! Rroftë e Majta!
Ndeshtrashat e vetëdijes historike dhe mundësitë për politika shoqërore emancipuese sot: E Majta ka vdekur! Rroftë e Majta!
Chris Cutrone
“Tradita e të gjitha brezave të vdekur peshon si një makth në trurin e të gjallëve.”
-Karl Marks, 18 brymeri i Lui Napolonit (1852).“Teoricieni që ndërhyn në kundërshtimet praktike në ditët e sotme zbulon në mënyre të rregullt dhe për turp të tij se çfarëdo ide që ai kontribuon janë shprehur shumë kohë më parë—dhe zakonisht më mirë herën e parë.”
-Teodor W. Adorno, “Tabutë seksuale dhe ligji sot” (1963).
SIPAS LENINIT kontributi më i madh i marksistes radikale gjermane Roza Luksemburg (1871-1919) në luftën për socializëm ishte deklarata se Partia e saj Social-Demokrate e Gjermanisë ishte bërë “kufomë e qelbur” si rezultat i votimit për kredi lufte më 4 gusht 1914. Lenini e shkroi këtë për Luksemburgun në vitin 1922, në përfundim të periudhës së luftës, revolucionit, kundërrevolucionit, dhe reaksionit në të cilin Luksemburgu ishte vrarë. Lenini u shpreh se Luksemburgu do të mbahej në mend mirë për kritikën e saj të mprehtë në një moment vendimtar të krizës në lëvizje, së cilës ajo i ishte kushtuar dhe për të cilën në fund e dha jetën. Në vend të kësaj, për ironi, Luksemburgu kujtohet për kritikat e saj të rralla për Leninin dhe bolshevikët.
Dy mësime mund të tërhiqen nga kjo histori: se e Majta vuan, si rezultat i rrënojave të akumuluara të humbjeve dhe dështimeve të pësuara, nga një kujtim shumë i pjesshëm dhe i shtrembëruar i historisë së vet; dhe se në momente vendimtare puna më e mire e së Majtës është kritika e vetvetes, e motivuar nga përpjekja për t’i shpëtuar kësaj historie dhe rezultateve të saj. Në kohë të caktuara, kontributi më i nevojshëm që mund të bëjmë është të deklarojmë se e Majta ka vdekur.
Që këtej, Platypus bën proklamatën, për kohën tonë: “E Majta ka vdekur!—Rroftë e Majta!”—Ne e themi këtë në mënyrë që mundësia e ardhshme e së Majtës të mund të jetojë.
Platypus filloi në dhjetor 2004, si projekt për një revistë ndërkombëtare të shkrimeve kritike dhe politikave emancipuese, si vizion i një grupi bazë studentësh të profesorit Moishe Postone të Universitetit të Çikagos, i cili ka studiuar dhe ka shkruar mbi teorinë kritike të Marksit në Grundrisse dhe në Kapital që nga vitet e 60-ta për një përfytyrim të një shoqërie postkapitaliste.
Në pranverë të 2006-ës Platypus u zhvillua dhe u shndërrua në një grup leximi të studentëve tanë të interesuar që të mësojnë për teorinë kritike marksiste. Shoqëria e Bashkuar Platypus është një organizatë politike e themeluar kohët e fundit që ka për qëllim të hetojë mundësitë për rindërtimin e së Majtës marksiste pas kolapsit të së Majtës marksiste historike.
Emrin tonë e kemi huazuar nga sqepori, i cili në momentin e zbulimit të tij zoologjik kishte vuajtur nga pamundësia për t’u klasifikuar sipas shkencës mbizotëruese të kohës. Ne mendojmë se një e Majtë autentike emancipuese sot do të vuante nga një problem i ngjashëm i (keq)njohjes, pjesërisht sepse detyrat dhe projektet e emancipimit shoqëror janë shpërbërë dhe kështu ekzistojnë për ne vetëm në fragmente dhe copëza.
Ne jemi rritur nga numri fillestar prej afro 12 studentësh dhe mësuesish në mbi 30 studentë universitarë dhe të diplomuar, mësues, dhe të tjerë nga komuniteti i Çikagos dhe më gjerë (për shembull, duke zhvilluar anëtarë korrespondues në Nju-Jork dhe Toronto).
Kemi punuar me grupe të ndryshme në të Majtën në Çikago dhe me gjerë, për shembull, duke mbajtur një seminar për të Majtën irakiane për konferencën e re të SDS-së mbi okupimin e Irakut, në Çikago gjatë shkurtit. Në janar kemi mbajtur serinë e parë të forumeve publike të Platypus-it në Çikago, me temën e “imperializmit” dhe së Majtës, duke përfshirë panelistë si Kevin Anderson nga News and Letters (Humanistët marksistë), Nick Kreitman nga Studentët për Shoqëri Demokratike, Danny Postel nga OpenDemocracy.net, dhe Adam Turl nga Organizata Socialiste Ndërkombëtare.
Kemi organizuar studimin tonë kritik të historisë të së Majtës për të ndihmuar ndriçimin e mundësive shoqërore emancipuese në të tashmen, që është e tashme e përcaktuar nga një histori e humbjeve dhe dështimit të së Majtës. Si kërkues të një trashëgimie tejet problematike nga e cila jemi të ndarë me një distance të caktuar historike, ne jemi të përkushtuar që t’i afrohemi historisë së mendimit dhe veprimit në të Majtën nga e cila duhet të mësojmë qëllimisht në mënyrë jodogmatike, duke mos marrë asgjë si të dhënë.
Pse Marksi? Pse tani? Ne mendojmë që mendimi i Marksit është pika qendrore dhe qendra nervore kyç për kritikë fundamentale të botes moderne në të cilën ende jetojmë, që lindi në kohën e Marksit me revolucionin industrial të shekullit të 19-të. Ne e marrim mendimin e Marksit si në raport me historinë paraprake të historisë së mendimit kritik shoqërorë, duke përfshirë filozofinë e Kantit dhe Hegelit, ashtu edhe në raport me ata që u frymëzuan më vonë që të ndjekin Marksin në kritikën e modernitetit shoqëror, si Georg Lukács, Walter Benjamin, dhe Teodor W. Adorno, si ndër më kryesorët. Andaj, Platypus është përkushtuar të rishqyrtojë tëre traditës kritike teorike që përfshin shekullin e 19-të dhe të 20-të. Siç shprehej Leszek Kolakowski (në esenë e tij të vitit 1968 “Koncepti i së Majtës”), e Majta duhet definuar në mënyrë ideologjike e jo sociologjike; mendimi, jo shoqëria, është e ndarë në të Djathtë dhe të Majtë: e Majta është e definuar nga utopizmi i saj, e Djathta nga oportunizmi i saj.—Ose, siç thotë Robert Pippin, problemi me teorinë kritike sot është se ajo nuk është kritike (Ctitical Inquiry, 2003).
Platypus është e përkushtuar për të rihapur çështje të ndryshme historike të së Majtës me qëllim që të lexojë atë histori “në kundërshtim me urtësinë e zakonshme” (siç thotë Benjamini në “Tezat mbi filozofinë e historisë”, 1940), duke u përpjekur për t’i kuptuar momentet e kaluara të humbjeve dhe dështimit në të Majtën jo si të dhëna, por në potencialin e tyre të papërmbushur, duke e parë të tashmen si produkt jo të domosdoshmërisë historike, por më tepër të asaj që ka ndodhur që nuk duhej të kishte ndodhur. Ne përpiqemi që t’i shmangemi influencës së padëshirueshme të, së paku, dy brezave të mëparshëm të mendimit dhe veprimit problematik në të Majtën, vitet 1920-1930 dhe 1960-1970. Më konkretisht, ne i vuajmë pasojat e depolitizimit—braktisjes së qëllimshme “postmoderniste” të çdo “narrative të madhe” të emancipimit shoqëror—nga e Majta në vitet 1980- 90-ta.
Por “tradita” e “brezit të vdekur” që “rëndon” më së shumti si “makth” në mendjet tona është tradita e vitit 1960 e së Majtës së Re, sidomos në historinë e saj kundër bolshevizmit—e shprehur nga të dy alternativat komplementare të këqija të antikomunizmit stalinofob (të liberalizmit dhe social-demokracisë së Luftës së Ftohtë) dhe “militantizmit” stalinofil (p.sh. maoizmi, gevarizmi, etj)—çka çoi në natyralizmin e degjenerimit të së Majtës në dorëheqje dhe abdikim, që lindi nga reagimi joadekuat i së Majtës së e Re të 60-ave ndaj problemeve të së Majtës së “Vjetër” pas viteve të 1920-30. Sipas vlerësimit tonë, e Majta e Re e viteve të 60-ta mbeti besnike ndaj stalinizmit—dhe gënjeshtrës se Lenini çoi të Stalini—duke dëmtuar rëndë mundësitë për politika emancipuese deri në ditët e sotme.
Në përpjekje për të lexuar këtë histori të kolapsit të përshpejtuar dhe vetëlikuidimit të së Majtës pas viteve të 60-ta “në kundërshtim me urtësinë e zakonshme” ne përballemi me një problem të diskutuar nga Nietzsche në esenë e tij “Mbi përdorimin dhe abuzimin e historisë për jetën” (1873):
“Një person duhet të ketë fuqi dhe kohë pas kohe ta përdorë për të thyer një të kaluar dhe për ta shpërbërë atë, në mënyrë që të jetë në gjendje të jetojë…Njerëzit ose moshat që i shërbejnë jetës në këtë mënyrë, duke gjykuar dhe shkatërruar një të kaluar, janë gjithmonë të rrezikshëm dhe në rrezik…Është një përpjekje për t’i dhënë vetes, si të themi, një të kaluar pas ngjarjes, nga e cila mund të zbresim në kundërshtim nga ajo nga e cila kemi zbritur.” [Përkthyer nga Ian Johnson në gjuhën angleze: http://ëëë.mala.bc.ca/~johnstoi/Nietzsche/history.htm]
Mirëpo, siç shkroi Karl Korsch, në “Marksizmi dhe filozofia” (1923):
“[Marksi ka shkruar se] ‘[Njerëzimi] gjithmonë i shtron vetes vetëm probleme që mund t’i zgjidhë; pasi që, duke shikuar çështjen nga afër gjithmonë do të kuptohet së problemi vetë lind kur kushtet materiale për zgjedhjen e tij janë të pranishme ose të paktën kuptohen qe janë ne proces të shfaqjes’ [Marksi, Parathënie e një kontributi mbi kritikën e ekonomisë politike (1859)]. Kjo deklaratë nuk ndikohet nga fakti se një problem që tejkalon marrëdhëniet aktuale mund të jetë formuluar në një epokë të mëparshme.” [Karl Korsch, “Marksizmi dhe filozofia,” Marksizmi dhe filozofia (NLB: New York and London, 1970), 58]
Siç shkroi Adorno, në Dialektikë negative (1966):
“Likuidimi i teorisë nga dogmatizmi dhe mendimet tabu i kontribuoi praktikës së keqe…Ndërlidhja e dy momenteve [të teorisë dhe praktikës] nuk zgjidhet një herë e përgjithmonë por ndryshon e luhatet gjatë historisë…Ata që kundërshtojnë teorinë [pse është] anakronike i binden traditës të refuzimit, si të pavlefshme dhe të vjetërsuar, të asaj që mbetet e dhimbshme [sepse ishte] penguar…Fakti qe historia ka përmbysur pozita të caktuara do të respektohet si një vendim mbi të vërtetën e përmbajtjes së tyre vetëm nga ata që pajtohen me Schiller-in se ‘historia e botës është gjykata e botës.’ Çfarë është hedhur mënjanë dhe nuk është absorbuar teorikisht shpesh nxjerr përmbajtjen e saj të vërtetë vetëm më vonë. Acarohet si plagë në shëndetin ekzistues; kjo do të dërgojë atë prapa në situata të ndryshuara.” [T.W.Adorno, Dialektika negative (Continuum: New York, 1983), 143-144]
Platypus është e interesuar të eksplorojë detyrat dhe projektin e vështirë, por jo të pamundur, të rilindjes të së Majtës kritike me qëllim emancipues shoqëror. Ne shpresojmë të japim kontribut kritik por të rëndësishëm drejt një “kthimi te Marksi” për ripërtëritjen e mundshme të së Majtës në vitet e ardhshme. Ne i ftojmë dhe i mirëpresim të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë dhe ta ndajnë me ne këtë projekt.